Një ditë, tri ngjarje, me mesazhe fuqizuese
Shoqata Kulturore Shqiptare Bashkimi u bë pjesë aktive e tri ngjarjeve domethënëse të organizuara nga institucione të ndryshme në Bern dhe Ostermundigen.
Java kundër racizmit në Bern dhe Ostermundigen:
Përmes pjesëmarrjes në aktivitetet e organizuara nga Treffpunkt (Komuna e Ostermundigenit), shoqata jonë dha një mesazh të qartë për barazi, integrim dhe respekt reciprok.
• Oda e Grave Shqiptare në Zvicër: E mbajtur pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, SHKSH „Bashkimi“ mbështeti me pjesëmarrje këtë vatër bashkimi, duke vlerësuar rolin e gruas si shtyllë të identitetit dhe progresit në mërgatë.
• Promovimi i librit „Klithmat“: Në praninë e autores Alketa Gashi Fazliu, kjo ngjarje letrare në Bern i dha një dimension shpirtëror ditës. Libri shërbeu si një mjet i fuqishëm sensibilizimi për gjenocidin në Kosovë, duke dëshmuar vuajtjet e fëmijëve të plagosur në luftë dhe dhimbjen e pashuar të nënave shqiptare për humbjen e bijve të tyre.
Për SHKSH „Bashkimi“, kjo ditë nuk ishte thjesht një seri aktivitetesh, por një pasqyrim i vërtetë i misionit tonë: të jemi gjithmonë aty ku kultura, drejtësia shoqërore dhe arti bëhen bashkë për të lartësuar të vërtetën tonë kombëtare dhe njerëzore.



















